Gati 80 vajza u helmuan dhe u shtruan në spital në dy sulme të veçanta në shkollat fillore në veri të Afganistanit, tha të dielën një zyrtar lokal afgan.
Kreu i departamentit të arsimit provincial, Mohammad Rahmani, tha se sulmet ndodhën në provincën Sar-e-Pul, në qarkun Sangcharak, gjatë së shtunës dhe të dielës.
Ai shtoi se 60 nxënëse u helmuan në shkollën Naswan-e-Kabod Aab dhe 17 të tjera në shkollën Naswan-e-Faizabad, transmeton Telegrafi.
“Ne i transferuam nxënëset në spital dhe ato janë të gjitha mirë tani”, tha ai për Associated Press.
Ai nuk ka dhënë informacion se si janë helmuar vajzat apo natyrën e lëndimeve të tyre. Ai gjithashtu nuk ka treguar se sa vjeç janë, përveç që ndjekin mësimin nga klasa e parë deri në të gjashtën.
Besohet se është hera e parë që një sulm i tillë ndodh që kur talebanët erdhën në pushtet në gusht 2021, dhe kufizuan të drejtat dhe liritë e grave dhe vajzave afgane.
Vajzave u ndalohet shkollimi përtej klasës së gjashtë, përfshirë universitetin, dhe grave u ndalohet qasja në shumicën e vendeve të punës dhe në hapësira publike. /Telegrafi/