Rreth 120 persona janë paraqitur si të helmuar për të kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Komunës së Hanit të Elezit.
Mjeku kujdestar Ardit Gola ka thënë për Telegrafin se rastet kanë filluar të paraqiten në spital nga ora 08:00 të së dielës dhe po vazhdon edhe gjatë ditës së hënë.
Sipas Golës, pacientët janë paraqitur në spital për të kërkuar ndihmë mjekësore pasi kishin vjellje, diarre dhe temperaturë.
“Rreth 120 pacientë janë paraqitur për të kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Hanit të Elezit gjatë ditës së diele, prej orës 08:00 deri në ora 12:00 të mes ditës kishte fluks të fëmijëve që u paraqitën, kurse gjatë ditës u shtua fluksi i pacientëve të rritur. Simptomat e tyre ishin vjellje, diarre dhe temperaturë gjithashtu”, tha Gola.
Ai ka shtuar se dyshimet janë që këta persona kanë mundur të helmohen nga uji i ujësjellësit të kontaminuar në Komunën e Kaçanikut.
Kjo pasi edhe në këtë komunë që nga e hëna e javës së kaluar rreth 300 qytetarë kishin kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi për Telegrafin kishte thënë se disa qytetarë tash e disa ditë janë me simptoma të helmimit; diarre dhe të vjella.
Ilazi pati shtuar se mostrat e ujit të dyshuar për këtë helmim i kishin dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe rezultatet kimike kanë dalë mirë, ndërkaq për analizat bakterologjike ende nuk kanë dalë rezultatet.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga mostrat e ujit të marra nga analizat bakteriologjike kanë treguar se nuk i plotësojnë standardet e ujit të pijshëm. /Telegrafi/