Rrëfimi tronditës i të vetmit që i shpëtoi tragjedisë ajrore në Indi - tregon se si mbeti gjallë ku mbetën të vdekur 241 pasagjerë
“Mendova se kisha vdekur”, dëshmia rrëqethëse e të mbijetuarit nga tragjedia ajrore në Indi.
Vishwash Kumar Ramesh, britaniku i mbijetuar nga aksidenti tragjik i aeroplanit të Air India, ka rrëfyer momentet tronditëse që përjetoi kur aeroplani u përplas me një ndërtesë pak pas ngritjes, duke shkaktuar vdekjen e 241 personave të tjerë në bord.
Duke folur nga shtrati i spitalit për kanalin DD News, 40-vjeçari tha se për disa sekonda mendoi se kishte vdekur.
Ramesh tha se “nuk e besoja ende që shpëtova. Për një moment mendova se do të vdisja, por kur hapa sytë dhe pashë përreth, kuptova se isha ende gjallë. Ende nuk e besoj si mbijetova”.
“Kur u ngrit aeroplani, brenda 5–10 sekondave dukej sikur ishte bllokuar në ajër. Papritur, dritat filluan të pulsonin – jeshile dhe të bardha. Aeroplani nuk po ngrihej dhe po ‘rrëshqiste’ në ajër, derisa u përplas me një ndërtesë dhe shpërtheu. Në fillim mendova se kisha vdekur. Më vonë kuptova se isha ende gjallë dhe pashë një hapje në trupin e aeroplani. U çlirova nga rripi, përdora këmbën për të shtyrë hapjen dhe dola zvarrë jashtë. Nuk e di si shpëtova”, tha ai.
Ndryshe, aeroplani Boeing 787 Dreamliner u rrëzua të enjten mbi një kolegj mjekësor, duke shkaktuar edhe viktima në tokë. Të paktën pesë studentë të mjekësisë u konfirmuan të vdekur, dhe rreth 50 persona të tjerë u plagosën.
Kryeministri indian, Narendra Modi vizitoi vendngjarjen dhe spitalin ku po trajtohen të mbijetuarit.
Hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë, ndërsa ky konsiderohet si një nga aksidentet më të rënda ajrore që përfshijnë qytetarë britanikë dhe aeroplanë të tipit 787. /Telegrafi/


