Ish-trajneri i Liverpoolit, Roy Hodgson, i ka bërë një favor shumë të madh ish-skuadrës së tij në garën për titull në Ligën Premier.
Crystal Palace ka arritur fitore befasuese ndaj Manchester Cityt me rezultat 2-3 në stadiumin Etihad.
City ishte dukshëm më i mirë, por mysafirët ishin të pagabueshëm në ato pak raste për gol që kishin.
Rasin e parë për golin e kishin vendasit me anë të Bernardo Silva në minutën e 16-të, ndërsa goli erdhi nga Ilkay Gundogan në minutën e 27-të.
Mysafirët befasuan me dy gola të shpejtë, së pari shënuan me anë të Jeffery Schlupp (33′) dhe Andros Townsend (35′). Në minutën e 51-të erdhi dhe goli i Luka Milivojevic nga pika e bardhë.
Në vazhdim City me gjithë forcat u fokusua në sulm, fillimisht rrezikoi me anë të Leroy Sane (78′), ndërsa golin e arriti Kevin De Bruyne (85′).
Në vazhdim skuadra e Pep Guardiolas kërkoi golin, por mysafirët u vendosën mirë dhe nuk lejuan një tjetër gol.
Kjo është humbja e dytë e Man Cityt këtë sezon, tani renditet në vendin e dytë me 44 pikë, katër pikë më pak se Liverpooli që prinë në PL. Crystal Palace ngjitet në vendin e 14 me 18 pikë.
Ndeshja e ardhshme e Cityt është kundër Leicester Cityt, ndërsa Crystal luan me Cardiffin. /Telegrafi/