Justin Kluivert është afër që të kalojë përfundimisht te OGC Nice dhe Roma do të marrë rreth 14 milionë euro nga shitja e tij.
Reprezentuesi holandez u transferua në Francë si huazim me opsion blerje në verë dhe skuadra e Ligue 1 mund ta blejë lojtarin pa u mbyllur sezoni.
22-vjeçari ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë katër asistime në 20 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.
Nëse Nice siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve dhe Kluivert luan të paktën 50 për qind të ndeshjeve këtë edicion, blerja bëhet e detyrueshme.
Nice mundi liderin e Ligue 1, PSG-në, me rezultat 1-0 fundjavën e kaluar dhe renditet e dyta në tabelë.
Ata kanë tre pikë para Rennesit që zë vendin e katërt. Vetëm tre klubet e para në Francë luajnë në Ligën e Kampionëve, megjithëse i treti duhet të kalojë në play-off.
Calciomercato.com raporton se trajneri i Nice, Christophe Galtier është i kënaqur me paraqitjet e Kluivert këtë sezon.
Roma do të marrë 14.5 milionë euro nëse Kluivert transferohet përgjithmonë te Nice.
Giallorossi tashmë kanë arkëtuar 20.4 milionë euro nga shitjet e Pau Lopez dhe Cengiz Under te Olympique de Marseille.
Kluivert iu bashkua Romës nga Ajax për 17 milionë euro në vitin 2018. /Telegrafi/