Çdo individ ka të drejtën e plotë të arsimohet e të punojë. E këto të dyja bashkë i bën mrekullisht Gentriti.
Ditën e fillon në qendrën “Down Sindrome Kosova” me miqtë e mësimdhënësit duke mësuar aftësi të reja.
Aktivitetet praktike si punimi i çantave e zhvillojnë kreativitetin e Gentritit dhe e bëjnë të ndihet mirë.
Pas këshillimit e mësimit, ai shkon në punë, në kafiterinë afër qendrës. Mikpritjen e shërbimin e kafesë për klientët Gentriti e bën më shumë qejf, madje thotë se nuk lodhet fare.
“Unë jam Gentrit Ahmeti. I bëj 23 vjet. Në qendër e shoh se qysh po mësojmë e qysh po rritemi. Unë punoj çanta. Punoj punëdore. Duhet me dëgju mësuesen çka thotë”, tha ai.
Pyetur se sa i pëlqen të punoj punëdore, me një shprehje të fytyrës të lumtur dhe entuziaste ai tha –“Po! Shumë mirë”.
Me të përfunduar mësimin në qendër ai drejtohet për te kafiteria “Bistro x21” vendos përparësen dhe fillon punën.
Me të hapur derën çdo klient që hyn në këtë kafe, mirëpritet me shprehjen e Gentritit “Mirëdita a jeni lodhë” i cili nga banaku ngrit kokën.
“Pastaj prej qendrës, vij drejt në punë. Duhet me i respektu rregullat e punës, kur vjen dikush duhet me u çu i shërby qysh duhet a çaji a kafja a tona të mirat. Unë punoj në vend të punës qysh duhet ua edhe fshij tavolinat”- u shpreh ai.
E gërshetimin mes mësimin dhe punësimit e bën pa asnjë problem i riu me sindromën Down i cili përmbyll rrëfimin e tij me fjalinë “nuk lodhna hiç, kurrë”. /Florinda Kelmendi/