Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj dhe Mefail Bajqinovci, kanë thënë se janë kundër një komisioni parlamentar në baza të paligjshme.
Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë për RTV Dukagjini se një komision hetimor nuk do të votohet për aq kohë sa është i ngritur në baza të paligjshme.
Rexhaj ka thënë se opozitës i kishte munguar një kauzë prej kohësh dhe si e tillë, “kauza për komisionin” është “kauza e shumëkërkuar” e saj.
“Opozita e ka humb rrugën në oborr”, ka thënë Rexhaj, i ftuar në Debat Plus.
Selim Selimi, analist, ka thënë se në qoftë se VV-ja nuk ka asgjë për të fshehur, votimi i një komisioni të tillë nuk do kishte arsye pse të mos realizohej.
“Refuzimi i komisionit hetimor është masakrim i demokracisë”, ka thënë Selimi gjersa ka shtuar se një kundërshtim kaq publik ndaj këtij komisioni lë vend për dyshim.
Hoxhaj ka kundërshtuar këtë pikëpamje të Selimit duke thënë se në qoftë se vullneti i shumicës do votojë kundër këtij komisioni, është pjesë e demokracisë. Ai ka shtuar më tej duke thënë se “ do e gjejmë zgjidhjen po duhet të prisni, Qeveria Kurti veçse i ka ndaluar disa rrugë ku bëhej kontrabanda”.
Deputeti tjetër nga po e njëjta lëvizje politike, Mefail Bajqinovci, ka thënë se do votonte këtë komision për aq kohë sa do të ishte i formuar në përputhshmëri me ligjet e njëkohësisht, po të ishte i miratuar nga Kuvendi Parlamentar.
Nga ana tjetër, përderisa Imer Mushkolaj, analist, e cilëson këtë mori veprimesh si “deja vu” të veprimeve opozitare të VV-së , Rexhaj ka thënë se kur lëvizja politike Vetëvendosje ishte në opozitë, ka votuar 80% të ligjeve ndërkombëtare.
Ndryshe në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, nuk ka kaluar mocioni procedural i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për futjen në rend dite në seancën e sotme, formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike.
Nga 108 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 33 prej tyre votuan pro këtij mocioni. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk morën pjesë fare në votim.
Menjëherë pas kësaj, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se nuk do të marrin pjesë më në seanca të radhës të Kuvendit deri në formimin e këtij Komisioni.
“Opozitës ju mohua një e drejtë kushtetuese. Grupi Parlamentar i LDK-së deri në formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar nuk do të marrë pjesë në asnjë votim. Për këtë ne e lëshojmë seancën”, tha Gashi.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri gjithashtu tha se edhe PDK nuk do të merr pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij Komisioni.
Seancën e ka lëshuar edhe Grupi Parlamentar i AAK-së. /Telegrafi/