Mjeshtri i restaurimit, Frederik Stamati, po punon prej disa muajsh për restaurimin e flamurit të valëvitur në Kongresin e Lushnjës, që u mbajt më 21-31 janar të vitit 1920.
“Është një restaurim shume i vështirë, por që do ta realizojmë me sukses”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky flamur pritet të jetë gati për ekspozim në 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjës.
“Flamurin e ka pasur atdhetari Veli Vasjari, i cili e ka çuar në ndërtesën ku bëheshin punimet e Kongresit të Lushnjës. Pas përfundimit të punimeve, e mori përsëri në vitin 1928 e dhuroi në Muzeun Kombëtar. Më pas Muzeu Kombëtar e ruajti në fondet e veta, ndërsa me ndryshimet kaloi nga një institucion në tjetrin dhe ky flamur mbeti në fondin etnografik”, tha Stamati. “Flamuri historik i kongresit të Lushnjës u zbulua në vitin 2011 nga Ariola Prifti, e cila në atë kohë ka qenë përgjegjësja e fondit etnografik, ku ruhej flamuri”.
Kongresi i Lushnjës cilësohet shpesh si çlirimi i dytë i Shqipërisë. Ky Kongres i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920. Në të u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej katër vetash që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. /atsh/