Autoriteti Rrugor Shqiptarë ka njoftuar se qarkullimi i automjeteve kryhet pa probleme në të gjitha akset kombëtare edhe pse gjatë natës se djeshme dhe në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje shiu dhe dëbore në zonat malore të vendit.
Sipas një njoftimi të ARRSH-së, kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve kanë punuar me mjete borëpastruese për pastrimin e rrugëve nga bora por dhe nga rënia e materialeve në rrugë ku ka pasur rrëshqitje.
“Drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes në lëvizje, për shkak të lagështisë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore e të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore”, ka shtuar ARRSH.
ARRSH ka shpërndarë në rrjetet sociale edhe një video ku pasqyrohet parashikimi i kushteve atmosferike në zona të ndryshme problematike të vendit./Telegrafi/