Real Madridi raportohet se do ta bëjë yllin e Leverkusenit, Florian Wirtz, prioritetin e tyre kryesor për sezonin 2025/2026.
Kjo verë do të jetë mjaft e ngarkuar për ‘Los Blancos’, me Kylian Mbappen në treg pasi njoftoi se do të largohet nga PSG-ja. Sidoqoftë, duket se planet për transferime kanë shkuar përtej sezonit të ardhshëm, dhe Wirtz raportohet se ka kapur syrin e drejtuesve madrilen.
21-vjeçari ka qenë një ndër lojtarët kyç të ekipit të Xabi Alonsos këtë sezon, teksa ‘Aspirinat’ kanë mundësinë e artë që të kompletojnë tripletën e famshme të trofeve.
Reprezentuesi gjerman ka kontribuar direkt në 37 gola në të gjitha garat deri më tani këtë sezon, duke shënuar 18 gola dhe duke dhuruar 19 asistime.
Numrat e tij duket se e kanë tërhequr vëmendjen e gjigantit spanjoll, dhe sipas gazetës spanjolle Marca, Madridi ka filluar punën për transferimit e yllit gjerman në verën e vitit 2025.
Nuk është një befasi që 14 herë kampioni i Ligës së Kampionëve interesohet për Wirtz, pasi ai ka qenë një pjesë integrale e thyerjes së rekordit nga ana e Leverkusenit si të pamposhtur (50 ndeshje).
Wirtz iu bashkua Leverkusenit si 17-vjeçar dhe impresionoi me paraqitjet e tij që nga momenti kur u bë pjesë e ekipit të parë.
Nën udhëheqjen e Xabi Alonsos duket që reprezentuesi gjerman ka lënë prapa krahëve lëndimin e rëndë në gju që kishte pësuar në mars të vitit 2022, dhe këtë sezon ka shkëlqyer me paraqitjet e tij duke qenë vendimtar në shumë ndeshje./Telegrafi/