Real Madridi dëshiron të luajë në ligën më të fortë të basketbollit në botë – NBA.
Kështu ka thënë për mediat spanjolle presidenti i klubit spanjoll, Florentino Perez, i cili ka zbardhur planet për ekipin e basketbollit të Los Blancos.
“Po luajmë nga 80 ndeshje gjersa shumica prej tyre nuk janë garuese. Shumë klube evropiane po mendojnë se çfarë të bëjnë në mënyrë që të ndryshojmë dhe të forcojmë. Ëndërroj që Reali të luajë në NBA”, pohoi i pari i klubit madrilen.
“Vetëm dy klube të NBA-s kanë më shumë shikues në palestër se Reali. Në këtë formë ne do t’i jepnin një infuzion ligës dhe një dimension të ri. Ne harxhojmë shumë para për lojtarët. Logjikisht, duam të luajmë kundër ekipeve më të forta”, kështu e arsyetoi mendimin Perez.
“Duam të luajmë në Konferencën Lindore. Distanca nga Madridi në New York nuk është e largët. Jam në dijeni se edhe NBA e dëshiron Realin, por duhet të bëjmë lëvizje konkrete”, ka pohuar Florentino.
Ndryshe, Toronto Raptors i Kanadasë është kampion në fuqi i ligës elitare amerikane të basketbollit. /Telegrafi/