Ponte Prizreni ka dalë me komunikatë pas ndërprerjes së ndeshjes ndaj Pejës, që ishte e fundit e gjysmëfinales në Superligën e Kosovës në basketboll.
Klubi i Pontes e ka akuzuar Dardan Berishën për provokim të situatës, që shkoi pastaj në një rrahje masive mes lojtarëve. Klubi prizrenas në reagimin e tyre i është drejtuar Berishës me “ish-reprezentuesi polak”.
“Në fund të çerekut të dytë ish-reprezentuesi polak, gjatë gjithë kohës duke provokuar dhe ofenduar në mënyrën më të rëndë jo vetëm bankën por edhe gjyqtarin Mumini, i cili nuk pat autoritet që ta jep edhe teknikën e dytë. Si pasojë e kësaj lojtarët pejanë, konkretisht Brandon Walters, sulmoi lojtarin Leurit Morina, 17-vjeç”.
“Kjo erdhi në saje të neglizhencës së Komesarit të garave, Faton Kurshumliu, i cili me delegim katastrofik të gjyqtarëve e solli fatin deri te përleshja. Të lënduarit kanë hapur rast dhe kanë marrë trajtim nga emergjenca dhe është hapur rasti në polici. Kryesia e klubit tani do të merr vendim për hapat e mëtejmë”, thuhet në komunikatën e Ponte Prizrenit.
Berisha aktualisht është kapiten i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll. /Telegrafi/