Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka refuzuar të marr pjesë në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, për të raportuar për rekrutimin e noterëve të rinj.
Për këtë ka pasur reagime nga kryetarja e këtij Komisioni, Albulena Haxhiu e cila e quajti Tahirin, përgjegjës për komprometim të procesit si dhe nga përfaqësuesi i KDI-së, Artan Murati.
Murati në një status të tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se letra e ministrit të Drejtësisë karshi një kryetareje të një Komisioni Parlamentar, ndër me kryesoret në Kuvend, shpërfaqe arrogancë e papërgjegjësi në punë.
Ai theksoi se ministri nuk guxon të mos raportoj para Kuvendit e deputeteve.
Sipas tij, Qeveria nuk guxon ta shpërfillë Kuvendin në asnjë mënyrë.
“Qeverisë/ministrave nuk u takon të mësojnë deputetet për çka mund t’i ftojnë e për çka jo. Kuvendi është punëdhënësi i Qeverisë, dhe e ka kompetence kushtetuese të ftoj në raportim ministrat sa herë të doje”, ka shkruar Murati në Facebook. /Telegrafi/