Djali i Haxhi Shalës, Flakroni ka reaguar lidhur me ndalimin dhe transferimin e babait të tij në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai ka thënë se si familje ende nuk kanë informacion për arrestimin apo ndalimin, e as për arsyet se pse Haxhi Shala po transferohet në Hagë.
“Sot kemi marrë informacione për transferimin e tij në Hagë me urdhër të prokurorit, e ne si familje ende nuk kemi informacion për arrestimin apo ndalimin, e as arsyet se pse ai po transferohet në Hagë”, ka shkruar Flakron Shala në Facebook.
Ai tutje është shprehur se janë të bindur për pafajësinë e Haxhi Shalës dhe “të të gjithë çlirimtarëve që janë në atë gjykatë”.
“Sepse kjo gjykatë është e njëanshme sepse gjykon çlirimtarët që mbrojtën vendin dhe të drejtat e tyre për liri”.
Më tëj, ai ka kërkuar falje që nuk ka mundur t’u përgjigjet telefonave të të gjithë atyre që janë interesuar për gjendjen e babait të tij, por ka thënë se “si familje kemi qenë në një situatë që nuk nuk kishim asnjë informacion që nga intervista e prindërit”.
Ish-deputeti dhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, është transferuar në Gjykatën Speciale në Hagë.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, avokati i tij, Xhevdet Smakiqi.
Shala, i njohur si Komandant “Topi”, u ndalua dhe u dërgua në zyrat e EULEX-it të hënën.
Po ashtu, EULEX-i ishte edhe në shtëpinë e Shalës, por sipas kreut të OVL UÇK-së në Malishevë, nga aty nuk është marrë asgjë. /Telegrafi/