Site icon Telegrafi

Reagime ndaj deklaratave të Josep Borrellit: Të njëanshme dhe po nxisin tensione

Deklarata e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell lidhur me arrestimet e serbëve në veri të dyshuar për sulme gjatë protestave të dhunshme, ka nxitur reagime të shumta në opinion.

Borrell të premten në profilin e tij zyrtar në Twitter, ka shkruar se është i shqetësuar nga arrestimet në veri, duke shtuar më tej se këto arrestime janë të jashtëligjshme, transmeton Telegrafi.


Reagimi i Josep Borrell po konsiderohet si i njëanshëm nga njohësit e politikës, ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka shtruar pyetje nëse BE po bën thirrje që mos të ndëshkohen ata që sulmuan ushtarët e NATO-s?

“Policia ka prova të qarta se personi i arrestuar sot ka marrë pjesë në sulmin kundër NATO-s më 29 maj. Arrestimi është bërë në bazë të nenit 71 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kështu që nuk ka asgjë jashtëgjyqësore”, thuhet në reagimin e ministres.

Ndërkaq, njohësi i proceseve politike, Jusuf Thaçi e ka quajtur skandaloze deklartën e Josep Borrell.

“Policia e Kosovës po arreston të dyshuar për sulme ndaj KFOR-it, ndaj Policisë dhe ndaj gazetarëve, për të cilët ka fakte e prova të forta (foto e video). Arrestimet po bëhen në përputhje me të gjitha procedurat ligjore. Në anën tjetër, FSK-ja po parakalon në territorin e Kosovës, pra në vendin e vet. Ku e ka hallin z. Borell? Çka nuk do të tolerojë ai? Arrestimin e kriminelëve? Parakalimin e FSK-së brenda Kosovës?”,  ka shkruar Thaçi.

Tutje, ai ka shtuar që shpreson se “ky qëndrim i z. Borell nuk është edhe qëndrim i BE-së! Nëse po, atëherë Kosova duhet të tërhiqet urgjentisht nga i ashtu-quajturi dialog i ndërmjetësuar nga BE”, thekson ai.

Për deklaratën e Borrell, ka reaguar edhe drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hulumtimin e politikave, Naim Rashiti,

Rashiti thotë se askush më shumë se Josep Borrell nuk po nxit tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Çdo gjë që ai bën dhe thotë më tej çon drejt një konflikti. Shumë zyrtarë me bazë në Bruksel nuk mund të thonë publikisht zhgënjimin që kanë për të dhe ekipin e tij”, ka thënë Rashiti.

Krahas zhvillimeve të fundit në veri, Policia e Kosovës gjatë këtyre ditëve ka arrestuar edhe disa serbë, si të dyshuar për sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Serbët lokalë që nga data 26 maj kanë organizuar protesta kundër kryetarëve të rinj shqiptar në katër komunat veriore, në disa prej protestave ata kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës, dhe ekipet e mediave.

Thirrje për qetësimin e situatës kanë bërë Bashkimi Evropian dhe SHBA. /Telegrafi/

Exit mobile version