Naim Rashiti nga Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, ka thënë se Gjermania dhe SHBA pos Kosovës kanë edhe çështje tjera që përplasen.
Rashiti, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se mes SHBA-së dhe Gjermanisë ka dallime shumë serioze në raport me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
“Edhe në tema tjera SHBA dhe Gjermania nuk kanë marrëdhënie shumë të mira, por zonja Merkel e ndjen që ka një lloj pronësie në çështjen e Ballkanit pasi dialogu Kosovë-Serbi ka filluar me vizitën e saj në Serbia në vitin 2011 dhe ajo ka dëshirë të shohë këtë çështje të zgjidhur”.
Drejtori i Grupit Ballkanik të Politikave me seli në Prishtinë, ka thënë se në të kaluarën çdoherë më parë ka pasur një proces të koordinuar të bisedimeve të udhëhequr nga QUINT-i, ndërsa tani këtë proces po e udhëheqin vetëm dy shtete të BE-së.
“Megjithatë dallimet do të zbuten kur të fillojë procesi i vërtet i dialogut, sepse deri më tani nuk ka pasur dialog të mirëfilltë. Kur të filloj procesi serioz i dialogut do t’i shohim të gjithë akterët dhe në fund do të befasohemi se sa pak do t’u kushtohet vëmendje detajeve”.
Rashiti ka thënë se në fund të procesit të bisedimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë, askush nuk është marrë me detajet sepse kishte fryme paqeje.
“Nëse Kosova dhe Serbia kanë frymë paqeje, elementet si statusi special për veriun, asociacioni apo ndryshimi i kufijve, do të jenë të fundit. Problemi është se palët nuk kanë vullnet për një proces serioz dialogu”.
Drejtori i Grupit Ballkanik të Politikave me seli në Prishtinë ka thënë se është fataliste për Kosovën të kënaqët me këtë status quo./Telegrafi/