Marcus Rashford ka marrë një vendim në lidhje me të ardhmen e tij tek Manchester United pasi Erik Ten Hag u konfirmua si trajner për sezonin e ardhshëm.
Kampanja zhgënjyese e Unitedit bëri që ata të përfundojnë në pozitën e tetë në tabelën e Ligës Premier dhe shumë pikëpyetje të ngriten në lidhje me të ardhmen e Ten Hagut.
Sidoqoftë, një fitore në finale të FA Cup ndaj rivalit Manchester City siguroi një trofe dhe një vend në Evropë, diçka që ishte e mjaftueshme që holandezi të vazhdojë tutje.
“Djajtë e Kuq” tani pritet t’i nënshtrohen një rinovimi të madh të ekipit gjatë kësaj vere ku e ardhmja e disa lojtarëve është në dyshim.
Rashford është në mesin e atyre yjeve që janë përmendur si kandidat potencial për largim nga “Old Trafford” për shkak të paraqitjeve të tij të dobëta sezonin e kaluar.
Por sipas The Sun, 26-vjeçari është i gatshëm të luftojë për të ardhmen e tij dhe dëshiron të riparojë marrëdhënien e thyer me trajnerin Ten Hag.
“Marcus e di një gjë me Ten Hag dhe kjo është se ai me të vërtetë e vlerëson atë. Ai e di sa paraqitjet e tij nuk kanë qenë të mira, por ai i ka thënë miqve të tij se do të rikthehet më i fortë sezonin e ardhshëm”.
“Ai e di se një trajner i ri mund të kishte ardhur dhe ta kishte hequr qafe. Ai nuk dëshiron të shkojë diku tjetër dhe vetëm do të rikthehet në formën e tij më të mirë”, ka thënë një burim pranë lojtarit.
Rashford ka shënuar tetë gola sezonin e kaluar por e kishte nervozuar tej mase trajnerin pasi rrodhën disa pamje të tij duke u dëfryer në një klub nate disa orë para ndeshjes me Newport Countyn në FA Cup.
Si rezultat i këtij veprimi ai ishte dënuar për dy javë si dhe forma e dobët kishte bërë që Gareth Southgate ta lë atë jashtë listës së Anglisë për Euro 2024./Telegrafi/