Site icon Telegrafi

Qeveria e Kosovës ‘zbut’ masën e sigurisë për mallrat serbe

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj mallrave me origjinë nga Serbia.

Oda Ekonomike e Kosovës ka konfirmuar se Qeveria këto ditë ka marrë vendim për heqjen e masës së sigurisë vetëm për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte.

Kryetari i Odës, Lulëzim Rafuna ka theksuar se OEK-u është i njoftuar për heqjen e masës së sigurisë për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte.

Ndërkaq, nga Qeveria e Kosovës nuk janë përgjigjur lidhur me “zbutjen” e masës së sigurisë për mallrat serbe.

Qeveria e Kosovës, më 14 qershor, ka marrë vendim për të shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Ky vendim ka ardhur pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe.

Lexo po ashtu Bllokada e kamionëve në kufi me Serbinë, Mustafa: Vendimi na shkakton vështirësi, po detyrohemi të përdorim mjetet e transportit nga shtetet tjera

Kryeministri Albin Kurti gjatë një konference për medie pati thënë se qëllimi i këtij vendimi është që të rritet kontrolli në kufij.

“Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, pati thënë Kurti.

Në katër komunat në veri të Kosovës, që nga data 26 maj ka pasur zhvillime të njëpasnjëshme, serbët protestuan dhunshëm për disa ditë, ku tentuan të hyjnë më forcë në objektet e komunave.

Grupe kriminale serbe sulmuan ushtarë të KFOR-it, policë dhe ekipe të mediave. Zhvillimet e fundit në veri kanë nxitur reagime të ashpra nga ndërkombëtarët të cilët edhe kërkuan nga Qeveria e Kosovës të ulin tensionet. /KP/

Exit mobile version