Bëhen pesë muaj që kur Qeveria e Kosovës me anë të një vendimi ka kërkuar që të ndalohen përkohësisht për eksport disa nga produktet themelore agro-ushqimore.
Përfaqësues të biznesit në Kosovë, këtë vendim e kanë quajtur të stërzgjatur, kurse Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se kjo masë do të rishikohet në mbledhjen e radhës së Qeverisë.
“Vendimi është finalizuar dhe pritet të trajtohet shumë shpejt në mbledhjet e ardhshme të Qeverisë”, ka thënë MINT për Telegrafin.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e 69-të të Qeverisë pati thënë se ky vendim po merret në një situatë kur është vështirësuar zinxhiri i furnizimit, i ndikuar nga invazioni dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë.
“Invazioni dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka ndikuar në zinxhirin e furnizimit me produkte ushqimore në Evropë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me institucionet përkatëse dhe akterët në treg ka përcjellë rritjet e çmimeve të produkteve në vend dhe evidencën e eksporteve të mallrave. MINT ka sjell vendimin që ndalon eksportin dhe ri-eksportin të disa produkteve agro-ushqimore”, pati thënë Kurti.
Po ashtu, ministrja e MINT, Rozeta Hajdari është shprehur se eksporti i këtyre produkteve mund ta rrezikoj furnizimin e qytetarëve në vend.
“Eksporti dhe rieksporti i mallrave sado i vogël që është mund të rrezikoj furnizimin e popullatës sonë në të ardhmen. Në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe duke i përcjellë eksportet në baza ditore, prandaj për të lehtësuar gjendjen propozojmë që të bëhet ndalimi i përkohshëm i disa produkteve themelore. Vendimi mbështetet në Ligjin për Tregtinë e Jashtme dhe atë të Brendshme. Ndalohet eksporti apo rieksporti si drithërat, mielli, vaji ushqimor, sheqeri dhe kripërat”, është shprehur Hajdari.
Kurse, kryetari i Bordit të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Berat Mustafa gjatë një interviste për Telegrafin ka theksuar se vazhdimi i kësaj mase po i rrezikon bizneset në humbjen e tregut.
“Ne kemi qenë dakord me Qeverinë, në fillim të prillit, ku ishte një panik në popull, në regjion e në Evropë që të merren disa masa për një kohë të caktuar që të mbrohen konsumatorët e që largohet paniku për produktet esenciale. Mirëpo, nuk jemi të pajtimit me ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari që këto masa të zgjasin pesë muaj, pra janë masa të stërzgjatura, ku prodhuesit tonë që atë treg që e kanë pasur me rastin e eksportit kanë filluar ta humbin”, thotë Mustafa.
Sipas tij, Kosova ka mbetur i vetmi vend në rajon që vazhdon që t’i ketë këto masa.
“Nga informatat që i posedojmë, disa prodhues që t’i plotësojnë kontratat, po punojnë me rajonin për përpunimin e këtyre produkteve, e kurse prodhuesit vendor duhet të rrinë, e të presin”, thekson ai.
“Jemi i vetmi shtet në rajon e Evropë që kemi mbetur për këto ndalesa të produkteve. Derisa Ukraina e Rusia po luftojnë, asnjëherë nuk i kanë ndalur eksportet e produkteve esenciale. Një vend që jemi stabil e që kemi një ekonomi stabile, e një zhvillim të konsiderueshëm, pse duhet t’i kemi këto masa”, ka përfunduar Mustafa. /Telegrafi/