Telegrafi

Qeveria dhe deputetët refuzojnë kërkesën për tërheqjen e kursimeve nga Trusti, organizatorët paralajmërojnë protesta

Organizatorët e nismës “Pro tërheqjes së 30 për qind të Trustit” kanë paralajmëruar se duke filluar nga java e ardhshme do të protestojnë pro tërheqjes së kursimeve nga Fondi Pensional.

Kjo është bërë e ditur nga iniciatori i kësaj nisme, Visar Dili pas refuzimit që i është bërë nga ana e Qeverisë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Nesër [e enjte] me fillim nga ora 10:00 e mëngjesit, së bashku me aktivistet e grupit ‘Pro tërheqjes së 30% të Trustit’ riaktivizohemi dhe do ta paralajmërojmë protestën e radhës për javën e ardhshme! Qeveria dhe deputetet nuk e kanë marrë seriozisht kërkesën dhe nënshkrimet tona, prandaj protesta ka mbetur si zgjidhje e vetme, për t’ua vendos si prioritet kërkesën tonë për tërheqje të kursimeve”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se Kuvendi në majin qershor i pati thënë jo tërheqjes nga Trusti. Menjëherë pati nisur një peticion. Më 15 korrik peticioni me 21 mijë nënshkrime u dorëzua në Kuvend.

Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia COVID-19, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.

Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti pati nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe pati zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021. Nga të dhënat e Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427 mijë e 371 kontribuues. /Telegrafi/