Telegrafi

Pushime “të kripura” në jug të Shqipërisë, veriu ofron hartën me plazhet e lira

Që edhe këto pushime verore do të ishin “të kripura” kjo dihej. Turizmi, ashtu si çdo sektor tjetër, i nënshtrohet rregullave të tregut, kërkesës dhe ofertës. Ku kërkesa rritet, oferta shtrenjtohet. E njëjta gjë po ndodh edhe në jug të Shqipërisë.

Në raport me një vit më parë, akomodimi në hotele dhe plazh, bashkë me transportin, janë shtrenjtuar mesatarisht me 5%. Ndërsa pijet dhe ushqimet janë shtrenjtuar mesatarisht me 10%.

Albana Nanaj, gazetare dhe njohëse e sektorit të turizmit, u shpreh për A2 CNN: “Mendoj që vendi është në zhvillim, por duhet të jemi goxha të kujdesshëm pasi ndonjëherë ky bumi mund të pasohet nga një boshllëk”.

Ndërsa Blerina Ago, sipërmarrëse dhe eksperte e turizmit, thekson: “Nuk kemi një përputhje mes asaj që reklamojmë dhe asaj që turistët e huaj gjejnë kur vijnë në Shqipëri”.

Megjithatë, zgjedhjet për të kaluar pushime disi më të lira nuk mungojnë. Plazhet në veri të vendit, Shëngjin e Velipojë mund të jenë dy opsione. Çmime të përballueshme ofron edhe Durrësi e një pjesë e Vlorës. E njëjta nuk mund të thuhet për Sarandën, Palasën apo Dhërmiun, ku një çift mund të zgjedhë të paguajë nga 80 deri në 200 euro për të fjetur një natë.

Lexo po ashtu Jo temperaturat, por çmimet 'përvëluese' boshatisin plazhet në Shqipëri

“Mendoj se operatorët në veri të vendit kanë zgjedhur një formulë më të mirë. Çmimet e qëndrueshme krijojnë turistë besnik. Pushuesit vendas, por edhe ata rusë e polakë apo më gjerë duan çmime të mira dhe kjo bëhet gati e pamundur në jug të vendit”, thotë Nanaj.

Me gjithë shtrenjtimet, Shqipëria vijon të ofrojë çmime më të ulëta se vendet europiane, por duke u barazuar me ato të rajonit. Sipas platformës Booking, një çift mund të akomodohet në plazhet e vendit për mesatarisht 80 euro, shifër kjo më e ulët se ajo që një turist do duhej të paguante në Itali apo Maltë, por më shtrenjtë se në Turqi.

“Nuk mendoj se Shqipëria është një destinacion i lirë dhe nuk mendoj se duhet të shitet si destinacion i lirë. Shqipëria nuk duhet të ndjekë modelet e vendeve të tjera që janë zhvilluar përmes turizmit “low cost”, shprehet Ago.

Çmimet e larta vlerësohen si një ndër arsyet se pse jugu i vendit nuk po përjeton bumin e turizmit këtë sezon veror, të paktën deri tani.