Site icon Telegrafi

Punëtorët kërkojnë që Llamkosi të mos shitet pa kushte

Punëtorët e fabrikës së Llamkos në Vushtrri kanë protestuar të premten para objektit të Komunës së Vushtrrisë, ku kanë kundërshtuar vendimin e Gjykatës Ekonomike për shitjen e kompanisë pa kushte.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Llamkosit, Ragip Hasani ka thënë se punëtorët nuk do të pranojnë që fabrika të shitet për hekurishte.

“Kundërshtojmë vendimin e Gjykatës për shitje pa kushte të fabrikës. Po ashtu kërkoj nga Komuna që kurrsesi të mos lejoj ndërrimin e destinimit të fabrikës dhe ajo pastaj të shitet për skrap”, tha Hasani.

Para protestuesve ka dal edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili ka qenë edhe ai më herët punëtor i Llamkosit.

Sipas tij, politikat e gabuara e kanë sjellë këtë fabrikë në gjendje të keqe.

“Si rezultat i politikave të gabuara Llamkosi sot është në një gjendje të rëndë. Ju kam dhënë fjalën gjithmonë edhe sot, se nuk do të lejojmë që fabrika e Llamkosit të ndërrojë destinim. “I bëjë me dijë çdo blerësi potencial se fabrika nuk duhet të ndërroj destinim”, tha kryetari Tahiri.

Ka pasur punëtorë që kanë kërkuar që Komuna e Vushtrrisë, të merr menaxhimin e Llamosit, por një gjë e tillë nuk është e mundur ligjërisht për komunat.

Fabrika e Llamkosit është privatizuar dy herë dhe ka dështuar, ajo ka rreth 500 punëtorë të cilëve AKP-ja u ka mbetur borxh 13 paga. /Telegrafi/

Exit mobile version