Vërehet sasi e madhe e mbeturinave në kryeqytet, pasi punëtorët e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi” janë në grevë.
Punëtorët e “Pastrimit” të hënën kanë mbajtur grevë për ngritje të pagave dhe si pasojë e kësaj, ata edhe sot nuk kanë dalë për të mbledhur mbeturinat.
Si pasojë e grevës së punëtorëve, qytetarët kanë treguar se si pranë kontejnerëve në Prishtinë vërehet sasi e madhe e mbeturinave.
Nga kompania “Pastrimi” është informuarpasdite se menaxhmenti i kompanisë dhe Bordi i Drejtorëve janë deklaruar se janë për ngritjen e pagave për punëtorët. Siç është bërë e ditur në komunikatë, ata janë pajtuar që muajve të ardhshëm të ketë ngritje të pagave në bazë të mundësive.
“Menaxhmenti i kompanisë ‘Pastrimi’ dhe Bordi i Drejtorëve u deklaruan se është për ngritjen e pagave meqenëse me kontratën e re të po sa nënshkruar në mes të Komunës së Prishtinës dhe kompanisë ‘Pastrimi’, ka një rritje të numrit të klientëve, dhe kjo rritje e numrit të klientëve do duhej të reflektonte në përmirësimin e gjendjes financiare të kompanisë, andaj menaxhmentit dhe Bordi i Drejtorëve u zotuan që muajve të ardhshëm të ketë ngritje të pagave në bazë të mundësive-(të hyrave shtesë) të krijuara me kontratën e re”, është bërë e ditur në komunikatë.
Po ashtu, është shtuar se diskutimet dhe analizimi i gjendjes financiare të KRM “Pastrimi” në mes palëve po vazhdon. /Telegrafi/