Të entjen, pikërisht në 13 vjetorin e vdekjes, është publikuar traileri zyrtar i dokumentarit të gjatë artistik për Bekim Fehmiun.
Dokumentari është bërë me skenar nga gazetari Fahri Musliu dhe regji nga Valmir Tertini.
Trailerin e ka publikuar në rrjetet sociale, regjisori i dokumentarit Valmir Tertini.
Ky dokumentar është xhiruar në gjashtë shtete; Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Itali.
Sipas regjisorit Tertinit, ky projekt që ka nisur në vitin 2019, ka gjetur financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri, por jo edhe nga Qendra e Kinematografisë në Kosovë.
Në lidhje me publikimin e dokumentarit ka reaguar edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga përmes një postimi në Facebook.
Jahjaga mes tjerash tha se edhe pse jo fizikisht pranë nesh, Fehmiu do jetoj gjithmonë nëpërmjet veprave të tij.
Më poshtë postimi i plotë i Atifete Jahjaga:
Sot, në 13 vjetorin e ikjes fizike të aktorit të madh shqipëtar Bekim Fehmiu, nëpërmjet një dokumentari artistik po shfaqet jeta dhe vepra e tij nga regjisori Valmir Tertini
Në këtë dokumentar janë marrë copëza histori nga gjashtë vende, ashtu siç edhe ishte e jeta e Bekim Fehmiut, dhe po i njejti do filloj rrugëtimin e tij nëpër festivale ndërkombëtare.
Bekim Fehmiu edhe pse jo fizikisht pranë nesh, ai do jetoj gjithmonë nëpërmjet veprave të tij.
I përjetshëm kujtimi për të.