Site icon Telegrafi

Publikohen pamjet se si Forcat Speciale të Shqipërisë ushtrohen gjatë dimrit

Forcat Speciale të Ushtrisë Shqiptare kanë kryer për herë të parë stërvitje me pajisje personale në kushte të vështira atmosferike në rajonin juglindorë të vendit në Voskopojë.

Në pamjet e publikuara nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, batalioni i Forcave Speciale tregon aftësitë e tij në terrene të vështira të mbuluara nga bora.

Peleshi thotë se roli i këtij batalioni sa vjen dhe rritet dhe stërvitja e fundit tregon synimin që kjo forcë ka për të qenë e aftë të kryejë detyra speciale në një spektër të plotë luftimesh.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes, objektivat e stërvitjes ishin zbulimi special, kalimi në prapavijat e kundërshtarit, goditje direkte, kërkim-shpëtimi, prita, kundër-prita, gjurmimi e kundër-gjurmimi.

Ministria ka shtuar se përveç veprimeve tashmë të zakonshme u praktikuan edhe taktikat speciale me ski.

“Kjo stërvitje në kushte të vështira, nën emërtimin ‘Selita 02’ kishte si synim testimin e kapaciteteve larg vend-dislokimit të përhershëm”, njofton Peleshi. /Telegrafi/

Exit mobile version