Partia Socialdemokrate (PSD) ka vendosur biberonë me qumësht para objektit të Qeverisë për të kundërshtuar mbylljen e kopshteve, vendim ky i marr dje nga ekzekutivi. Sipas saj, Qeveria Kurti është treguar e pa emancipuar pasi që ka betonizuar rolin e gruas në shtëpi.
Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, në një prononcim për media tha se përmes këtij aksioni simbolik po tregojnë që Qeveria është bërë barrë për nënat dhe gratë në shtëpi.
Kritika pati edhe për shkakun e mbylljes së kopshteve dhe çerdheve, pasi siç tha ajo, qeveria ka ndërmarrë një hap të tillë për të ulur numrat e infektuarve në mënyrë që të vazhdojë me fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Me këtë qasje, ajo tha se fëmijët janë lënë anash dhe pa përkujdesjen e shtetit.
“Mbyllja e çerdheve dhe kopshteve është vendosur sot për nesër. Pra, kemi një vendosje ad-hoc të pa menduar, e cila prapë po rëndon mbi barrën e grave. Vendimet e qeverisë janë instumentalizuese, përndryshe si ka kuptim që të mbyllen çerdhet dhe shkollat e të lihen hapur tubimet, të kemi hapur xhamitë, gastronomitë dhe gjithçka tjetër[…]Në rastet më të këqija, nënat do të humbasin punën e tyre”, tha ajo.
Tutje, ajo tha se ka raste kur nënat detyrohen të marrin pushimin vjetor për të qëndruar më fëmijët e tyre në shtëpi, pasi kopshtet nuk punojnë.
“Qeveria Kurti është joemancipuese, është betonuese e rolit të gruas në shoqëri, roli të cilin nënën e mbanë në shtëpi, të mbyllur me fëmijët e tyre, derisa pret momentin që rastet të bien drastikisht në mënyrë që të vazhdojë me tubimet politike dhe të vazhdojë me fushatën elektorale në mënyrë që të fitojë sa më shumë”, u shpreh ajo.