Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, ka reaguar pasi në zhveshtoren e lojtarëve të Serbisë në Katar, të enjten është vendosur një flamur ku shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb, me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”
Çeku e ka quajtur të turpshëm veprimin e Serbisë, ndërsa ka kërkuar reagimin e FIFA-s.
Ai gjithashtu ka thënë se këto mesazhe janë të urrejtjes, ksenofobisë dhe gjenocidit ndaj Kosovës.
“Pamje të turpshme nga zhveshtorja e Serbisë, duke shfaqur mesazhe urrejtjeje, ksenofobie dhe gjenocidale ndaj Kosovës, teksa shfrytëzojnë platformën e Kupës Botërore. Presim veprime konkrete nga FIFA duke marrë parasysh se FFK-ja është anëtar i plotë i FIFA-s dhe UEFA-s”, ka shkruar ministri në Twitter.
Ndryshe, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), njoftoi të premten se ka paraqitur ankesë në FIFA për siç e ka quajtur, veprimin agresiv të ekipit përfaqësues të Serbisë në ndeshjen ndaj Brazilit, në kuadër të Kupës së Botës “Katar 2022”. /Telegrafi/
Disgraceful images from #Serbia locker room, displaying hateful, xenophobic and genocidal messages towards #Kosova, while exploiting #FIFAWorldCup platform.
We expect concrete actions from @FIFAcom considering that the @FFK_KS ?? is a full FIFA and UEFA member. pic.twitter.com/xwu6i0j7dG
— Hajrulla Çeku (@HCeku) November 25, 2022