Përmes një proteste gjithëpopullore, organizatat e dala nga lufta do të kundërshtojnë Projektligjin që përcakton pagën minimale e ku nuk janë përfshirë veteranët.
Për Xhavit Jasharin nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, deputetët të cilët dje votuan për këtë projektligj janë mjeranë, ndërsa sipas tij në këtë mënyrë serbët ia arritën qëllimin që të godasin luftën e UÇK-së, shkruan KP.
Jashari nuk përjashton mundësinë që protesta e së enjtes e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të vazhdojë deri në realizmin e kërkesës së tyre, që është tërheqja prapa e këtij projektligji.
“Mjerimi i gjithë kësaj është se deputetët e Listës Serbe e arritën qëllimin ta godasin edhe njëherë luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por unë ju bëj me dije edhe atyre, por edhe deputetët mjeranë që e ngritën dorën, deputetët shqiptarë që e keqpërdorën besimin e qytetarit që ua dhënë votën për ta zhvilluar vendin, t’i respektojnë kategoritë e veçanta, siç janë veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve, e ata mjeranë e ngritën dorën dhe turp iu qoftë që e plotësuan edhe një dëshirë, për t’u mohuar e drejta dhe për të bërë përpjekje që ta degradojnë luftën e UÇK-së, me udhëzime të Serbisë”, tha Jashari.
Sipas tij, me kalimin në parim të këtij projektligji deputetët shqiptarë e kanë keqpërdorur votën e qytetarëve.
“Në protestën që e mbajtëm ditë më parë ku unë bëra thirrje publikisht se Albin Kurti po punon për ta kthyer Serbinë, unë sot do t’ia them të kundërtën, që Albin Kurti dhe kjo qeveri nuk do të mund ta kthejë kurrë Serbinë këtu, sepse kjo liri është fituar me mund, me përpjekje të mëdha.
Është një rrugë plot sakrificë, është një rrugë plot merita, është një rrugë plot nder, është krenaria më e madhe e këtij populli dhe kombi, pas luftës së Skënderbeut, është lufta e lavdishme e UÇK-së me kryekomandantin e saj legjendar, Adem Jasharin. Dhe sot këto institucione, të zgjedhurit e popullit, deputetët që e keqpërdorën besimin që ua ka dhënë populli, sepse pjesë e këtij populli janë edhe këto kategori, për turpin e tyre dje u keqpërdorë”, thotë ai.
Jashari thotë se këtë projektligj do ta kundërshtojnë me të gjitha format demokratike, derisa shton që presin nga deputetët opozitarë ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.
“Këtu është bërë edhe shkelje e kushtetutshmërisë, sepse një qeveri thirret në një ligj që nuk është i aplikueshëm dhe shkel nenet e një ligji për qëllime të caktuara politike, për të degraduar luftën e UÇK-së, ne do t’i përdorim të gjitha format dhe do të konsultohemi me deputetë që janë në këtë parlament dhe kjo do të shkojë në Kushtetuese, sepse është bërë shkelje nga një nen i një ligji që nuk është i zbatueshëm, sepse janë format, janë udhëzimet se çfarë duhet të bëhet pastaj të ndodhë kjo dhe të thirret në një nen.
Një ministër i tillë që për mua edhe sot nuk po e kuptoj, ministër i Financave, a është ministër që i jep paratë e tij apo të qytetarit të Republikës së Kosovës. Ai deklarohet herë si ministër, herë si prokuror, herë si gjykatës”, tha Jashari.
Të martën Kuvendi i Kosovës miratoi në parim, me 68 vota për, projektligjin që përcakton pagën minimale. Për kalimin e këtij projektligji ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe, ndërsa komunitetet e tjera jo-shumicë abstenuan.
Projektligji është kundërshtuar nga opozita, e cila nuk mori pjesë në votim. /KP/