Kreatori i njohur shqiptar, Valdrin Sahiti rezultoi që është i pajisur me pasaportë diplomatike që nga vitit 2020.
Nga Presidenca e Kosovës kishin deklaruar se presidentja Vjosa Osmani nuk i ka lëshuar pasaportë diplomatike askujt. Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, deklaroi se presidentja nuk ka kompetencë për të lëshuar pasaporta diplomatike.
“Presidentja as nuk lëshon e as nuk merr pasaporta diplomatike. Pra, nuk i ka lëshuar pasaportë diplomatike asnjëherë askujt. Për qindra pasaporta të raportuara në media, pyetjet duhet të drejtohen tek Qeveria paraprake, sepse janë lëshuar gjatë qeverisjes së tyre”, kishte thënë Kupina.
Ndërsa, së fundmi avokati, Durim Berisha përmes një postim në Facebook, ka bërë të ditur se ka parashtruar një kërkesë në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për inicimin e një hetimi mbi mënyrën e pajisjes me pasaportë diplomatike të Sahitit.
Në përgjigjen e zyrës së Prokurorit të Shtetit të Kosovës thuhet se kërkesa i është dërguar Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila ka kompetenca për të zhvilluar hetimet e rastit.
Theksojmë që pasaporta diplomatike është një prej dokumenteve të udhëtimit me të cilën pajisen politikanët e vendit, duke nisur nga presidentja, kryeministri, kryeparlamentari, deputetët, ambasadorët e konsujt dhe familjarët e tyre. /Telegrafi/