Site icon Telegrafi

Prokuroria jep detaje për kontrabandën me ar në Aeroportin e Shkupit, i dyshuar edhe një i punësuar në Doganë

Prokuroria Themelore Publike në Shkup, Maqedonia e Veriut/ Foto: Telegrafi

Prokuroria e Maqedonisë së Veriut njofton se ka dorëzuar kërkesë për paraburgim për dy persona, për shkak se të njëjtit dyshohen për kontrabandën e stolive të arit në Aeroportin e Shkupit.

Nga Prokuroria bëjnë të ditur se njëri prej të dyshuarve është person me shtetësi të dyfishtë, respektivisht shtetësi turke dhe serbe, ndërsa personi tjetër i dyshuar për bashkëpunim me të dyshuarin e parë, është një i punësuar në Doganë.

“Më 20 mars, në pikën kufitare të Aeroportit të Shkupit, në hyrje të vendit, i dyshuari 32-vjeçar me dy shtetësi , turke dhe serbe, përmes linjës doganore ka bartur mall të padeklaruar. Bëhet fjalë për mbi 43 kilogramë stoli të ndryshme, me një vlerë totale prej 2.200.000 eurove. Në këtë qëllim e ka ndihmuar i dyshuari i dytë duke i hequr pengesat për kryerjen e veprës penale. Shtetasi i huaj ka mbërritur nga fluturimi nga Stambolli për në Shkup dhe në vendin e marrjes së bagazheve është pritur nga ndihmësi i tij, punonjës i Drejtorisë doganore në Maqedoninë e Veriut, i cili në atë moment nuk ishte në turn, ndërsa motra e tij udhëtonte me të njëjtin aeroplan”.

Lexo po ashtu Konfiskohet ar dhe diamant në vlerë 2.4 milionë euro në Aeroportin e Shkupit

“Doganieri ia ka marrë bagazhin motrës dhe të dyshuarit dhe i ka futur në karrocën e bagazheve, pas së cilës të tre janë drejtuar në “korridorin e gjelbër” për të dalë nga Aeroporti pa deklaruar mallrat doganore. “Korridori i gjelbër” është mbyllur me shirit sigurie, ndërsa doganieri i dyshuar e ka hequr shiritin dhe ka vazhduar në drejtim të daljes. Për këtë ka reaguar doganieri që ka kontrolluar fluturimin, por i dyshuari është prezantuar si koleg doganier dhe ka vazhduar të lëvizë në drejtim të daljes së bashku me motrën e tij dhe shtetasin e huaj të dyshuar. Më pas, doganierët kanë ndërhyrë, të cilët kanë kontrolluar personat dhe në çantën e shpinës së pasagjerit nga Stambolli kanë gjetur 15 kilogramë bizhuteri ari, ndërsa pjesa tjetër e bizhuterive me vlerë janë gjetur në valixhen e të dyshuarit, që ishte ngarkuar në karrocën e bagazhit”, thonë nga Prokuroria.

 

Exit mobile version