Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Kushtrim Kadriu, ka mbledhur sot në një takim konsultativ kryetarët e partive politike për të diskutuar mbi projekt-buxhetin e vitit 2025.
Të gjitha subjektet politike iu përgjigjën pozitivisht ftesës, duke synuar gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e situatës së krijuar.
Pas takimit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, mbajti një konferencë për media ku theksoi se gjatë diskutimeve u paraqit një listë kërkesash nga subjektet politike.
“Një pjesë e këtyre kërkesave janë të arsyeshme dhe mund të realizohen shpejt dhe lehtë,” deklaroi Hyseni.
Ai e cilësoi takimin si një hap pozitiv dhe në të mirë të qytetarëve të Gjilanit, duke nënvizuar rëndësinë e një qasjeje bashkëpunuese mes palëve politike.
“Ky përafrim i qëndrimeve dhe zbutje e partive opozitare është një sinjal i mirë për qytetarët,” potencoi ai.
Hyseni njoftoi gjithashtu se do të mbajë një takim me kryesinë e Vetëvendosjes në Gjilan për të diskutuar mbi kërkesat e adresuara.
“Pas konsultimeve të brendshme, nesër do t’i njoftojmë palët për vendimet tona dhe do të vazhdojmë me hapat e radhës,” shtoi ai.
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, e cilësoi takimin si një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së situatës.
“Besoj që konsultimet e brendshme mes partive politike i japin oksigjen politik këtij procesi,” deklaroi Haziri.
Edhe kryetari i PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, theksoi se subjekti i tij ka paraqitur kërkesat dhe qëndrimet e veta, duke shprehur vullnetin për tejkalimin e ngërçit politik.
“Ky takim ka shënuar një hap përpara. Ditët në vijim do të ketë takime shtesë, pasi nuk dëshirojmë që Gjilani të mbetet komuna e vetme në Kosovë pa miratim të buxhetit,” tha Rashiti. Ai shtoi se vonesat e kryetarit Hyseni për t’u konsultuar me partinë e tij nuk janë të arsyeshme dhe procesi duhet të ecë më shpejt. /Telegrafi/