Rreth 500 mësimdhënës të Komunës së Prizrenit janë certifikuar pas trajnimeve të realizuara në kuadër të projektit “Avancimi i cilësisë së arsimit në Komunën e Prizrenit – Ngritja e kompetencave përmes zhvillimit profesional në fushën e menaxhimit, vlerësimit, mendimit kritik dhe gjithëpërfshirjes”, të zhvilluar nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit (QAPA) në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit.
Ceremonia e ndarjes së certifikatave është mbajtur në Shtëpinë e Kulturës, me ç’rast drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj ka theksuar se ky është “një moment i veçantë për të njohur përkushtimin e mësimdhënësve në punë, sikurse edhe një dëshmi e rëndësisë së veçantë që ne i japim përgatitjes dhe zhvillimit të vazhdueshëm të mësimdhënësve”.
“Zhvillimi profesional është çelës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe shoqërinë tonë. Ju jeni ata që formësoni mendjet e brezave të ardhshëm”, ka thënë Veselaj-Gutaj, duke uruar mësimdhënësit e pranishëm. Në të njëjtën kohë është zotuar se Drejtoria e Arsimit do të jetë çdo ditë pranë nxënësve dhe mësuesve për të garantuar cilësi dhe profesionalizëm, raporton Telegrafi.
Nehat Mustafa nga QAPA ka theksuar se trajnimet që janë organizuar kanë qenë të akredituara nga MASHTI. Sipas tij ato kanë qenë dy ditore me nga 16 orë dhe se janë valide për procesin e licencimit dhe të rilicencimit të mësimdhënësve. Ai ka shtuar se zhvillimi profesional i mësimdhënësve është parakusht për shkolla të suksesshme.
“Në komunat tjera, Prizrenin e përmendim si shembull të mirë, sepse kemi parë motivim të jashtëzakonshëm të mësimdhënësve. Gjithashtu kemi parë pjesëmarrje masive të prindërve në trajnimet përkatëse. Kjo tregon se ata kanë besim në institucion, në shkollë, në mësimdhënës dhe në qeverisjen komunale”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka konfirmuar deklaratat e parafolësve, duke shtuar se qeveria komunale do të përkrah çdo nismë për ngritjen e cilësisë në arsim, raporton Telegrafi.
“Çka do që varet prej meje si kryetar i Komunës do të jem në përkrahje të këtyre zhvillimeve për shkak se pa mësimdhënës cilësor e të motivuar nuk ka as punë cilësore e suksese”, ka deklaruar Totaj.
Në kuadër të këtij projekti janë mbajtur trajnime edhe për drejtorët e shkollave të Komunës së Prizrenit, të cilët do të certifikohen në javët në vijim. /Telegrafi/