Opozita e ka parë si proces që nuk ka zgjedhur asgjë, votimin për apo kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë në katër komunat në veri të Kosovës, proces ky që u mbajt të dielën më 21 prill.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se Kosova e ka vendosur veten në një kurth të panevojshëm me një çështje të tillë.
“Sot po jemi me problemin e njëjtë dhe po e shohim secilën herë e më shumë involvimin e presidentit të shtetit fqinj në çështjet tona të brendshme që është e papranueshme dhe mendoj që komuniteti ndërkombëtar duhet ti hapë sytë përballë një involvimi kaq të madh dhe shumë të dëmshëm për të dyja shtetet edhe për Kosovën edhe për Serbinë për rrugën tonë evropiane që i bëhet instrumentalizimit të qytetarëve të komunitetit serb në atë pjesë”, tha Tahiri.
Ai shtoi se dje nuk është zgjedhur asgjë dhe se problemi vazhdon të jetë në derë.
“Ne vazhdojmë të kemi një situatë shumë të pafavorshme sepse BE i sheh si kryetar jo legjitim të zgjedhurit me 2-3% të votave të atyre qytetarëve. Si do të ec procesi më tutje nuk mund të paragjykoj, ajo që ne kemi kërkuar në vazhdimësi ka qenë që sa më parë të hiqen masat ndëshkuese”, tha ai.
Edhe shefi i GP-së së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se me zhvillimet e së dielës është kuptuar që Serbia ende ka ndikim të madh te komuniteti i serbëve të Kosovës.
“Kosovës do të duhej t’i hiqeshin sanksionet menjëherë pas sulmit të Banjskës. Sa i përket çështjes së djeshme i kam dy qëndrime. E para Serbia duhet ta kuptoj se Kosova ka rregulla të veta Kushtetuese dhe ligjore dhe se e ka detyrë që të këtë institucione të zgjedhura dhe u pa qe ndikimi i Serbisë tek komuniteti serb në Kosovë, është ende i madh.
Ndikimi politik i Vuçiqit vazhdon të jetë. Ne kemi problem atje me legjitimitetin. Kërkesa jonë si AAK është që në tema që ndërlidhen me sovranitetin, integrimin e plotë duhet të trajtohen me ndjeshmëri të plotë”, tha Tahiri.
Se Beogradi ka ndikim te serbët lokalë në veri të Kosovës, e ka thënë edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Kusari-Lila tha se pas votimit të djeshëm u bë e qartë se Serbia është pengesa kryesore e integrimit të komunitetit serb në Kosovë.
“Ajo çka ndodhi dje është shpërfaqje e faktit që Serbia së pari përmes Listës Serbë përdor të gjitha mekanizmat për të pamundësuar integrimin e serbëve në vend. Është e qartë se pengesa kryesore e integrimit të serbeve në Kosovë, e veçanërisht në veri është Serbia. Nuk ka pasur as diskriminim, as presion në asnjë mënyrë e as formë nga institucionet e vendit.
Edhe organizimi i djeshëm është vlerësuar si i drejtë, korrekt dhe profesional nga të gjitha nivelet. Aktualisht nëse pyeten drejtuesit e vendeve të BE-së se cilat janë argumentet për mbajtjen masave ndaj Kosovës, nuk ka të tilla. Nuk mund të mbetet në fuqi diçka e paqëndrueshme në raport me kërkesat që i janë bërë Republikës së Kosovës për arsye se tashmë janë përmbushur të gjitha”, ka thënë ajo. /Telegrafi/