Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta e organizuar sot nga disa qytetarë serbë në pjesën veriore të Mitrovicës, ka përfunduar e qetë dhe protestuesit janë shpërndarë.
Në njoftim thuhet se “sot, rreth orës 11:00, në afërsi të urës së Ibrit në Mitrovicë Veri ka filluar të mbahet protesta e paralajmëruar e disa qytetarëve të nacionalitetit serb, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me situatën dhe deklarimet për hapjen e urës për qarkullim”.
“Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit para, gjatë dhe deri në përfundim të protestës”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Telegrafi.
Sipas Policisë, rreth orës 12:00, protesta ka përfunduar e qetë dhe protestuesit janë shpërndarë, përderisa njësitet policore kanë vazhduar me detyrat e rregullta policore.
Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe dhe Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë se synon ta hapë atë për trafik.
Gjatë protestës, ish-gjyqtari nga Mitrovica e Veriut, Nikolla Kabashiq, tha se duhet të arrihet konsensus mes të gjithë përfaqësuesve të serbëve në Kosovë për të identifikuar dhe mbrojtur interesat themelore të komunitetit serb. /Telegrafi/