Një person është plagosur mbrëmë me armë zjarri në veri të Mitrovicës.
Policia përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 23:48, dhe se është duke i hetuar rrethanat e plagosjes, derisa shtoi se i plagosuri aktualisht ndodhet në spital duke marrë trajtim mjekësor.
E për këtë incident mediat serbe raportuan duke thënë se viktima u plagos nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.
“Anëtarët e Rosu plagosën një serb pranë urës së Bistricës”, “Anëtarët e Rosu-së në urën e Bistricës kanë qëlluar në një veturë në të cilën ishte një serb, është goditur në gjoks”, “Rosu qëllon me armë serbin në rrugën Leposaviq-Zveçan”, janë këta disa nga titujt progandues të mediave serbe lidhur me rastin që ndodhi mbrëmë në veri.
Këto pretendime të tyre, Policia e Kosovës i ka përgënjeshtruar, duke thënë se ata nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë rast të gjuajtës me armë zjarri.
“Vlen të potencojmë dhe njëherit të sqarojmë se, Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar.
Andaj edhe shkrimet, apo pyetjet e adresuara Policisë së Kosovës nga disa mediume serbe, se kinse Policia e Kosovës është përfshirë, apo në formën e pyetjes se a është përfshirë në gjuajtje me armë dhe plagosje të një personi te ura e Bistricë në komunë të Leposaviqit, ju informojmë dhe njëherit ritheksojmë se Policia e Kosovës, nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës, ka theksuar se është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës ka hedhur poshtë raportimet e mediave serbe, e kryesisht për incidente të tilla që kanë ndodhur në veri edhe më parë. /Telegrafi/