Gjatë ditës së martë në dy fshatra të Podujevës, në Dumosh dhe në Obranqë janë përuruar dy shkolla të reja. Në Dumosh u përurua shkolla re “Musli Dumoshi” dhe në Obranqë shkolla “Ali Hadri”.
Gjatë përurimit të shkollave ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Në një komunikatë nga zyra e kryeministrit, thuhet se kryeministri Kurti gjatë përurimit të shkollës në Dumosh, ka thënë se investimi në infrastrukturën shkollore është investim në potencialin e jashtëzakonshëm që mbartin fëmijët e Kosovës
“E përkrahja jonë për edukimin dhe për zhvillimin e të rinjve tanë do të jetë e pandërprerë. Edhe investimi në infrastrukturën shkollore është investim në potencialin e jashtëzakonshëm që mbartin fëmijët e Kosovës. Vlera financiare e shkollës “Musli Dumoshi” që po e urojmë sot është 584,807.94 euro. Vlera e vërtetë qëndron natyrisht te mundësitë që kjo shkollë do të krijojë për nxënësit, që të arsimohen në kushte dinjitoze, t’i ushqejnë talentet, e t’i avancojnë aftësitë. Pra, kësisoj të kontribuojnë për të mirën e shoqërisë”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci, ka thënë se përurimi i këtyre dy shkollave është privilegj.
“Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, që po e shoqëronte kryeministrin gjatë kësaj vizite tha se përurimi i këtyre dy shkollave është kënaqësi por edhe privilegj njëkohësisht. Ajo theksoi si qeveri dhe si ministri jemi të vetëdijshëm për detyrën që e kemi të jemi pranë qytetarëve për krijimin e kushteve më të mira, më cilësore, për mundësi të barabarta, për të gjithë nxënësit”, thuhet në komunikatë.
Edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, këto dy shkolla i ka quajtur si investime të rëndësishme.
“Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi u shpreh se kjo është një ditë e veçantë për të gjithë, sepse po hapim dyert e shkollës së re në fshatin Dumosh dhe asaj në fshatin Obranqë, investime këto të rëndësishme për të ardhmen e fëmijëve dhe për të gjithë, por në të njëjtën kohë edhe premtime të realizuar të qeverisjes komunale që drejton ai”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/