Agim Ademi në një intervistë ekskluzive ka treguar për Telegrafin se përse Andi Zeqiri nuk ka pranuar ende të luajë për Kosovën.
I pari i futbollit kosovar zbuloi se lojtari i talentuar dhe babai i tij i kanë thënë “PO” Kosovës dhe në vitin tjetër do të luajnë për ‘Dardanët’.
Andi, sipas Ademit ka kërkuar që të luajë deri në fund të kualifikimeve për Kampionatin Evropian me Zvicrën U-21 dhe më pas t’i bashkohet Përfaqësueses tonë.
“Andi e ka nënshkruar një marrëveshje me Kosovën me vetë dëshirë dhe kur bisedojmë me çdo lojtar u themi se a e do me zemër vendin dhe fanellën”, ka thënë Presidenti i FFK-së në intervistë përballë Betim Zeqirit.
“U-21 i Zvicrës është aktualisht duke garuar për t’u kualifikuar në Evropë dhe ai na ka pyetur edhe ne se a mund të vazhdojë të luajë edhe në ndeshjet e mbetura”.
“Besoj se pas përfundimit të kësaj gare, Andi do të jetë me ne. Nuk besoj se fjalët e tij nuk do të qëndrojnë edhe pse mediat në Zvicër raportojnë më ndryshe”.
“Babai i tij dhe vetë Andi i kanë thënë PO Kosovës dhe unë u besoj fjalëve të tyre, pasi është diçka shpirtërore, pasi guri i rëndë peshon në vend të vet”, ka shtuar më tej Ademi. /Telegrafi/