Ka përfunduar edhe nata e dytë gjysmëfinale e festivalit “Kënga Magjike 2018”.
Në skenën e festivalit u ngjitën plot 20 artistë (të rinj dhe me përvojë), të cilët argëtuan me publikun e tyre.
E gjithë mbrëmja u drejtua nga producenti i festivalit, Ardit Gjebrea, krah dy bukurosheve Bora Zemani dhe Klaudia Pepa.
Nga të gjitha performancat, më shumë ovacione te publiku krijuan këngët që tashmë ka javë që janë më të dëgjuarat në YouTube.
Rovena Dilo me reperin Onat dhuruan një performancë të veçantë në skenën e festivalit, teksa interpretuan këngën e tyre “Ma jo”.
Klajid Haruni rrëmbeu gjithashtu duartrokitjet e publikut, teksa njëlloj bëri edhe kolegu i tij tjetër nga “Threedots”, Flori Mumajesi gjatë interpretimit të baladës së tij të fuqishme “Plas”.
MC Kresha dhe Fifi ishin po ashtu dy nga emrat që krijuan ovacione gjatë këndimit të këngës tashmë shumë të pëlqyer nga publiku, “Psikopatja jote”.
Ndërkohë, “Ah ku më hodhi Zoti” e kënduar nga Robert Aliaj ishte një nga këngët më drithëruese të mbrëmjes, e cila emocinoi gjithë publikun e Pallatit të Kongreseve.
Nata u përmbyll me dy artistet e mirënjohura të skenës, Eli Fara dhe Aurela Gaçe, të cilat i dhanë emocione publikut me interpretimin e këngës së tyre “Zemra Rratata”.
Nata finale e festivalit “Kënga Magjike 2018” do të mbahet këtë të shtunë, në skenën e së cilës do të ngjiten 20 artistë, të cilët do të shpërblehen me 20 çmime.
Në po këtë natë do të bëhet i ditur edhe emri i fituesit të edicionit të 20-të të këtij festivali, i cili është përzgjedhur nga vet votat e artistëve. /Telegrafi/