Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve më 11 shtator ka njoftuar se është hapur aplikimi për pagesat e lehonave dhe shtesat e fëmijëve.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti një ditë më parë bëri të ditur se deri të premten nga fillimi i aplikimit për shtesa dhe gra lehona janë bërë 13.180 aplikime, prej tyre 1.501 mbështetje për gra lehona dhe 11.679 shtesa për fëmijë.
Ndryshe, javën e kaluar ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditura detaje në lidhje me shtesat e fëmijëve dhe pagesave për lehonat në bazë të Pagës së Ringjalljes Ekonomike, raporton Telegrafi.
Murati ka thënë se të drejtë në këtë pagesë do të kenë edhe lehonat e punësuara edhe ato që figurojnë si të papuna.
Në një postim të Ministrisë së Financave më 11 shtator thuhet:
“U hap aplikimi për mbështetjen për lehonat dhe shtesat për fëmijë. Ndiqni vegzën përkatëse më poshtë për të aplikuar:
➡ 170€ në muaj për nënat e reja (lehonat): https://ekosova.rks-gov.net/SubService/311
➡ 20€ në muaj për fëmijët e moshës 0-24 muaj: https://ekosova.rks-gov.net/SubService/312
Nga janari i vitit 2022 gradualisht do të shtohen grupmosha të tjera deri në moshën 16 vjeçare, për të cilat vlera e shtesës është 10 euro në muaj”. /Telegrafi/