Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka mbajtur dje një konferencë për media, ku ftoi publikisht kryetarët e dy partive opozitare, Lutfi Hazirin nga LDK dhe Riad Rashitin nga PDK, për një takim zyrtar lidhur me miratimin e buxhetit komunal për vitin 2025.
Hyseni bëri të ditur se takimi ishte planifikuar të mbahej sot në ora 10:00. Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës – dega në Gjilan e ka refuzuar ftesën, duke e cilësuar atë si të vonuar dhe të panevojshme.
“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron tejet të vonuar ftesën zyrtare të kryetarit të komunës për t’u takuar me kryetarin e degës së PDK-së, Riad Rashiti, për të diskutuar seriozisht dhe profesionalisht lidhur me miratimin e buxhetit komunal për vitin 2025,” thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas PDK-së, situata e krijuar është rezultat i mungesës së pjekurisë politike nga ana e kryetarit Hyseni, e cila, sipas tyre, ka çuar komunën në një gjendje kaosi në të gjitha aspektet dhe fushat.
Megjithatë, PDK thekson se ka qenë gjithmonë konstruktive në vendimmarrjen e Kuvendit Komunal dhe nuk ka qenë pengesë për miratimin e buxhetit. Ata shprehen se do ta mbështesin buxhetin vetëm nëse realizohen kërkesat e tyre ligjore dhe procedurale.
“Zbatimin e plotë të ligjshmërisë në procedurat e planifikimit, miratimit dhe shpenzimit të buxhetit komunal për vitin 2025, Llogaridhënie dhe transparencë të plotë në shpenzimet e buxhetit, përmes raporteve mujore drejtuar komisionit të Kuvendit Komunal, Formimin e një komisioni mbikëqyrës të përbërë nga anëtarët e Kuvendit Komunal, i cili do të kryesohet nga opozita, për monitorimin e investimeve në projektet e buxhetuara dhe shpenzimet për subvencione, mallra dhe shërbime”, thuhet në njoftim.
Në fund të reagimit, PDK shprehet se do të jetë pjesë e vendimmarrjes për miratimin e buxhetit vetëm pasi të përmbushen këto kërkesa. /Telegrafi/