Niveli i ujit në liqenin e Batllavës dhe të Badovcit vazhdon të jetë i ulët, pavarësisht reshjeve të borës që pati gjatë javës së parë të muajit shkurt.
Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se reshjet e borës të cilat kanë rënë nuk kanë qenë të mjaftueshme sa të mbushen liqenet.
“Reshjet e pakta të borës që kanë rënë mbi vendin tonë janë të kënaqshme për mjedisin e thatë sepse ka pas thatësi të madhe, por jo të mjaftueshme ende që të fillojnë t’i mbushin liqenet. Intensiteti nuk ka qenë në atë nivel sa të mbushen ende liqenet. Por ndikimi i reshjeve vërehet më së miri në ardhjen e ujit në liqen nga përrojat e përroskat që e mbushin liqenet”, ka thënë Mjeku.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, tha se shpreson që ditëve në vijim të ketë reshje të intensitetit më të lartë.
“Shpresojmë që si në vitet paraprake, muaji mars dhe prill do të jetë me reshje shiu. Pra ndikimi i reshjeve të fundit ka qenë në tokën e thatë, në ambientin pastër, por ende jo mjaftueshëm sa t’i mbushim liqenet me ujë”, theksoi ajo.
Ndryshe, Liqeni i Batllavës dhe ai i Badovcit, janë burimet kryesore të furnizimit me ujë të pijes për qytetarët e Prishtinës me rrethinë dhe disa komunave tjera.
KRU “Prishtina”, vazhdimisht ka bërë thirrje tek qytetarët që të shpenzojnë në mënyrë racionale ujin, për shkak se në mungesë të reshjeve të shiut, mungesat e ujit do të jenë të mëdha. /Telegrafi/