Site icon Telegrafi

Pas vrasjes në Pejë, proteston Kolektivi Feminist: Të shpallet gjendje emergjente

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, pas vrasjes së një gruaje nga bashkëshorti i saj në Pejë, kanë protestuar në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që po mbahet nën organizimin e presidentes Vjosa Osmani.

Përmes një baneri gjigant, ata kanë kërkuar të anulohet ky forum, derisa në Kosovë po vriten gratë.

Aktivistja Liridona Sijarina kërkoi nga presidentja Osmani ta ftojë Këshillin e Sigurisë dhe të shpallë gjendje emergjente.

Ajo u shpreh se kishin kërkuar që të hyjnë brenda që të përballen me presidenten dhe t’i tregojnë se duhet në mënyrë urgjente të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurisë e të shpallet gjendje emergjente.

“Ne nga këtu kemi dashtë me hy brenda dhe me u përball ndoshta me presidenten dhe me i tregu që ajo duhet në mënyrë urgjente me thirr Këshillin shtetëror të Sigurisë dhe me shpall një gjendje emergjente, megjithatë me atë që ne u pamë dhe më çka ne u ballafaquam ke një qasje e tmerrshme e shtetit ku na u mohu hyrja brenda dhe u trajtuam si kriminelë.

Çka na u tha nga siguria dhe nga policia edhe që ne paraqesim rrezik edhe të prishjes të sigurisë ose paraqesim një çështje sigurie dhe ata nuk na lejuan me hy brenda dhe na ndoqën deri te dalja duke na trajtuar ne sikur me i trajtuar burrat vrasës dhe burrat që i dhunojnë gratë”, theksoi ajo, raporton Kp.

Ndërkaq ajo tha se shteti është duke e treguar fytyrën e tij se si po i trajton aktivistët si rrezik, e jo ata burra që po i vrasin gratë.

“Kjo gjendje tregon një fytyrë të shtetit që po merret me ne, po na trajton ne aktivistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile si rrezik e kjo është shqetësuese për shkak se ne nuk po mundemi me be punën tonë. Nuk po mundemi me bë punën tonë për shkak se këtu brenda janë thirr grupe dhe persona të përzgjedhur”, u shpreh ajo.

Sijarina tha se ata duhet që t’i dëgjojnë thirrjet e forumit, e derisa shteti të vazhdojë të mbajë konferenca të mbyllura, ato nuk do të heshtin.

“Ne nuk mundemi të qëndrojmë të heshtura ose të qeta përderisa shteti vazhdon me mbajt konferenca të cilat janë të izoluara që janë për një audiencë shumë të filtruar të cilët ata vet i vendosin dhe i injorojnë komplet thirrjet tona, kështu që bëjmë thirrje edhe nga këtu edhe qeverisë dhe presidentes që mos me u merr me neve aktivisteve, por me u merr me problemet e kësaj shoqërinë, e që është pasiguria e thellë në të cilën jetojnë vajzat dhe gratë e Kosovës. Bëjmë thirrje dhe një herë që shteti të shpall gjendje emergjente”, tha ajo.

Exit mobile version