Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ta kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, ka reaguar vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi.
Teksa ka treguar se sot janë bërë tre muaj nga vrasja e Liridonës, ai ka thënë se shpreson që ky rast dhe të tjerë të ngjashëm të gjykohen shpejtë dhe pa gabime.
“Sot tre muaj që kur se na e kanë vrarë Liridonën tonë. Dhimbja sa vjen e shtohet e neve na mban shpresa që drejtësia nuk do të vonojë”, ka shkruar Ademaj në Facebook.
“Derisa e vajtojmë vajzën dhe motrën tonë, me dhimbje të thellë po i ndjekim informacionet për gjykime të vrasjeve të vajzave që janë bërë me gabime që çojnë në rigjykime apo edhe për raste kur gratë janë abuzuar fizikisht dhe dhunuesit enden të lirë ose reklamohen publikisht”.
Ai tutje ka thënë se bashkëndjejnë me të gjitha viktimat dhe familjarët e tyre.
“Shpresojmë që rasti i Liridonës dhe rastet tjera do të gjykohen shpejtë dhe pa gabime”, ka shkruar vëllai i Liridonës, duke shtuar se “vrasësit e grave e kanë vendin në burg, të mbyllur dhe larg syrit të publikut”.
Gjykata e Apelit javën e kaluar e ka kthyer çështjen në rigjykim ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, lidhur me akuzat për vrasjen dhe dhunimi e tani të ndjerës Marigona Osmani.
Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim. /Telegrafi/