Inspektorati i Punës në një konferencë për media të fundit për këtë vit, ka bërë të ditur se këtë vit kanë humbur jetën 11 persona në vendin e punës dhe se sektori më i goditur ka qenë ai i energjisë elektrike.
Lidhur me këtë, ka reaguar KEDS, i cili përmes një njoftimi për media ka thënë se nuk ka pasur asnjë vdekje aksidentale për këtë vit.
“Madje, kompania po punon fuqishëm që ta arrijë sa më shpejt të jetë e mundur edhe misionin: Zero aksidente në punë.
Secili punëtor po trajnohet në Qendrën e Trajnimit të kompanisë dhe vazhdon trajnimet deri në certifikim për siguri në punë. Secili punëtor është i pajisur me të gjitha pajisjet e sigurisë”, thuhet në reagimin e KEDS-it.
Njoftimi i plotë:
Në të gjitha mediat kryesore të vendit sot është dhënë një lajm se gjoja më i godituri për vitin 2019 nga vdekjet aksidentale në vendin e punës është sektori i energjisë elektrike, me gjithësejt tri vdekje.
KEDS sqaron se fatmirësisht nuk ka asnjë vdekje aksidentale sivjet. Madje, kompania po punon fuqishëm që ta arrijë sa më shpejt të jetë e mundur edhe misionin: Zero aksidente në punë.
Secili punëtor po trajnohet në Qendrën e Trajnimit të kompanisë dhe vazhdon trajnimet deri në çertifikim për siguri në punë. Secili punëtor është i pajisjur me të gjitha pajisjet e sigurisë. Ndërmarrja e këtyre masave ka ndikuar që numri i aksidenteve në punë të bie ndjeshëm.
KEDS për këtë është falënderuar edhe nga institucionet vendore e ndërkombëtare dhe organizatat që përfaqësojnë e mbrojnë punëtorët. Sot, KEDS’in e vizitojnë edhe kompani rajonale për të parë së afërmi praktikat që ti zbatojnë edhe vet. Por, ne nuk do të ndalemi me kaq deri në arritjen e misionit tonë. /Telegrafi/