Partia opozitare në Kuvendin e Serbisë, e cila udhëhiqet nga Dragan Gjilas, Partia për Liri dhe Drejtësi “Stranka Slobode i Pravde” (SSP), ka kundërshtuar marrëveshjen Rusi-Serbi për koordinimin e politikës së jashtme, të nënshkruar nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq dhe atij të Rusisë, Sergey Lavrov, sepse sipas kësaj partie është cenuar qëndrimi i Serbisë për çështjen e Kosovës.
SSP, përmes një komunikate, ka dënuar veprimin e ministrit serb Selakoviq, i cili, siç thonë ata, e izoloi edhe më shumë Serbinë nga bota që mbron sovranitetin e shteteve.
“Është e pabesueshme që në një moment kur e gjithë bota po ndjek me frikë lëvizjet e Moskës që kërcënojnë paqen botërore dhe ndërsa ne prej muajsh kemi vëzhguar vuajtjet e përditshme të popullit ukrainas, ministri ynë teknik, në ditët e fundit të mandatit të tij, bëri një marrëveshje për vazhdimin e konsultimeve me një vend që shkel drejtpërdrejt Kartën e OKB-së dhe synon të aneksojë territorin e një vendi tjetër të njohur ndërkombëtarisht”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
SSP kujtoi se kjo është bërë edhe pse “Serbia në disa raste ka mbështetur zyrtarisht integritetin territorial të Ukrainës”.
Vlerësohet se “problem i veçantë është se Selakoviq nuk e sheh lidhjen me çështjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës, pasi vendet që e njohin Kosovën po i referohen precedentit dhe mundësisë së njohjes së ‘pjesës sonë të territorit’”.
“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në këmbim të mundësisë për të bërë një foto me Lavrovin, pushteti ynë cenon drejtpërdrejt qëndrimin tonë në lidhje me Kosovë, i mundëson qeverisë ruse të dalë nga bllokada e shkaktuar nga sulmi ndaj një vendi sovran dhe ndryshimi i dhunshëm i kufijve”, thuhet në deklaratën e SSP.
Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë nënshkruan dje në Nju Jork planin e konsultimeve të ministrive të tyre për periudhën 2023-2024.
Për marrëveshjen e fundit Rusi-Serbi ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq përveç që nuk njeh shtetin e Kosovës dhe krimet e bëra nga regjimi i Millosheviqit, mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, duke nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi dhe kjo sipas tij duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Blerim Vela, shef i Kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Ai në një postim në Twitter ka shkruar se Serbia po punon për të harmonizuar më tej politikën e saj të jashtme me Rusinë. /Telegrafi/