Site icon Telegrafi

PARODOS

Poezi nga: Louise Glück
Përktheu: Visar Zhiti

Shumë kohë më parë, u plagosa.
Unë mësova
të ekzistoj, në reagime,
jashtë prekjeve
të botës: do ju tregoj
ç’kuptim ka të jesh –
një pajisje që dëgjon.
Jo inerte: e qetë.
Copëz druri. Shkëmb.
Pse duhet ta lodh veten me debate
e përgjigje?
Ata njerëz që marrin frymë
në shtretër të tjerë
vështirë të më ndjekin, jam
e pakontrollueshme
si çdo ëndërr. –
Përmes grilave vëzhgova
hënën në natën qiellore, mblidhej
dhe ënjtej –
Unë linda e thirrur:
të dëshmoj
misteret e mëdha.
Tani që i kam parë të dyja
lindjen dhe vdekjen, e di,
me natyrat e tyre të errëta, këto
janë prova, jo
mistere.

Exit mobile version