Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit me inicialet D.S., pasi dyshohet për veprën penale dhunimi.
Për të njëjtin ekziston dyshimi i bazuar se të dielën e 20 nëntorit ka keqpërdorur seksualisht në shtëpinë e tij një të mitur.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri me datë 20 nëntor 2022, në kohë të pacaktuar, në një fshat në Komunën e Ferizajt, përkatësisht në shtëpinë e tij, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – e mitur, e cila është nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjeçare, me ç`rast ka kryer akt seksual me të dëmtuarën”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në njoftimin për media.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, ka konfirmuar për Telegrafin se viktima është 12-vjeçare, ndërsa i dyshuari 19-vjeçar.
“Rasti ka ndodhur në shtëpinë e të dyshuarit dhe e mitura me vullnet ka shkuar në shtëpinë e tij. Rasti ka ndodhur të dielën, ndërsa është raportuar të hënën nga nëna e viktimës”.
“I dyshuari është i moshës 19-vjecare. Është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. E mitura është e moshës 12-vjeçare”, ka thënë Jashari.
Ai tutje tha se janë marrë gjurmët në vendin e ngjarjes dhe janë dërguar në laboratorin e forenzikës për ekzaminim.