Site icon Telegrafi

Papa Françesku pritet ta vizitojë Kosovën më 5 shtator 2017

Papa Françesku mund ta vizitojë Kosovën me pesë shtator të vitit 2017, pasi që Kisha Katolike në Kosovë i ka bërë ftesë Papës të vijë në këtë datë, ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës, Vikari gjeneral i Ipeshkëvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji.

“Sigurisht që dëshira e Papës është t’i vizitojë vendet ku ka multietnicitet. Kisha katolike ia ka bërë ftesën Papa Françeskut. Ne kemi ftuar Papa Franceskon  të vije me 5 shtator me 2017, ku do të bëhet një vjetori i shenjtërimit të Nënës Terezë”, ka thënë Don Lush Gjergji.

Ai ka folur edhe për festën e Pashkëve dhe mesazhin e kësaj feste.

“Pashkët e kanë një mesazh gjithënjerëzor, që do të thotë rimëkëmbja, ringjallja fuqia e re. Është një histori e mrekullueshme ku zoti bashkë me njeriun bëhen protagonistë të një mundësie të re të nj jete të re, që të mos jemi më të prirë nga egoizmi, nga lakmia, nga dëshira për sukses, për shtypje, për nam, nga dëshira për t’i shkelur të tjerët”, tha ai.

Përfaqësuesi i Kishës ka folur për besimin tek njerëzit dhe mënyrat se si ata zgjedhin t’i përkushtohen fuqisë hyjnore.

“Me një fjalë lind qytetërimi i jetës të zakonshme. Nëse nuk besojmë në njëri- tjetrin lindin gjykimet, paragjykime. Unë besoj që njerëz që nuk besojnë në askënd dhe asgjë nuk ka. Ka shumë njerëz që janë të definuar që janë agnostikët, por janë njerëz shumë të mirë”.

“Dikush që i përmbahet ndërgjegjes i përmbahet edhe ligjit të zotit. Nuk besohet vetëm me fjalë dhe vetëm me mendje, por me tërë qenien. Nëse dikush beson, por nuk jeton sipas besimit e ndëshkon vetveten sepse nuk jeton sipas deklarimit të vetë”.

“Për zotin të gjithë jemi bijtë dhe bijat e zotit, rrugët janë të ndryshme, por të gjitha na drejtojnë kah zoti. Ne jemi vazhdimisht në kërkim të vërtetës”, ka thënë Don Lush Gjergji.

Exit mobile version