Disa pamje të siguruara nga Telegrafi tregojnë momentet e një incidenti në një diskotekë në Budva të Malit të Zi.
Bëhet fjalë për një incident për të cilin disa media raportuan se ka ndodhur një sulm ndaj kryeministrit Dritan Abazoviq, por që nga media të tjera u tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë sulm ndaj tij, përcjell Telegrafi.
“Dritani ishte në performancën e (Dino) Merlin, kur një nga vizitorët tentoi t’i afrohej dhe ta sulmonte. Ai ka bërë një breshëri ofendimesh, e më pas ka tentuar t’i afrohet”, ka shkruar më herët mediumi serb Kurir.
Megjithatë, mediat në Mal të Zi e kanë përshkruar ngjarjen pak më ndryshe.
Sipas CdM, Abazoviq është evakuuar mbrëmë nga një diskotekë “Top Hill”, në Budva.
Ndërkohë policia kishte thënë se në diskotekë është përdorur një sprej me efekt irritues, por vetëm kur Abazoviq ka dalë nga diskoteka.
Po sipas policisë, Abazoviq nuk është sulmuar, por ka pasur një konflikt mes disa personave dhe se pranë tyre në atë moment ka kaluar kryeministri me mandat teknik.
Dëshmitarët okularë të ngjarjes kanë thënë për CdM më herët se panë policinë të evakuonte Abazoviqin dhe të ndalonte disa persona. /Telegrafi/