Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se, sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, ndaj mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.
Presidentja Osmani në reagimin e saj të bërë në Facebook thotë se, veprimet e Policisë sot në veri janë në realizim të detyrave të tyre, transmeton Telegrafi.
“Veprimer e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë”, ka deklaruar ajo.
Presidentja në fund shtoi se “Bashkë, jemi gjithnjë më të fortë”.
Për reagimet e tyre në veri, Policia e Kosovës ka marrë përkrahje edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ministri ka thënë se policia ka treguar profesionalizëm derisa janë ballafaquar me grupe kriminale.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë”, theksoi ai në postimin në Facebook.
Për situatën e krijuar në veri ka pasur reagime nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë kërkuar të mos ketë përshkallëzim të situatës. /Telegrafi/